Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), numri i aksidenteve përgjatë muajit gusht, krahasuar me gushtin e vitit 2024 ra me 8,1%. Në gushtin e vitit të kaluar u shënuan 173 aksidente.

Aksidentet rrugore, në 91,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 45-59 vjeç, duke zënë 25,8 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Brenda muajit gusht, dita me numrin më të lartë të aksidenteve ka qenë e hëna, me 18,2% të rasteve, ndërsa më pak aksidente janë regjistruar ditën e martë, me 11,3%.

Nga ana tjetër, aksidentet kanë ndodhur më së shumti gjatë orëve të mbrëmjes, konkretisht në harkun kohor 19:00-24:00, që përbën 23,3% të totalit të aksidenteve të ndodhura në muajin gusht.

Për periudhën janar-gusht 2025, aksidentet rrugore kanë shënuar një rënie prej 14,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.