Në lotin e tretë të kantierit të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, po punohet me intensitet të shtuar për përmbylljen e kësaj vepre të shumëpritur brenda verës së këtij viti.Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.
Po ashtu, aksi ndikon në rritjen e turizmit të zonës së Pogradecit dhe Korçës, bën të mundur akomodimin e trafikut të rëndë, ndikon në zhvillimin e bujqësisë së zonës rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, duke ndihmuar në shkurtimin e distancës së fshatrave me rrugën e kryeqytetit dhe anasjelltas, rrit dhe nxit punësimin, shkurton kohën e rrugëtimit nga Tirana drejt Korçës dhe kohën e transportit të mallrave nga porti i Durrësit për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.