Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur se pas katër ditësh u shua zjarri i rënë në Shëngjin të Lezhës. AKMC njofoti përmes rrjeteve sociale se “nën koordinimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, është bërë një luftë e vërtetë dhe e pandërprerë me një nga fenomenet natyrore më të vështira, siç është zjarri masiv në pyje dhe kullota, në kodrat e qytetit të Shëngjinit, bashkia Lezhë”. “Në shuarjen e zjarrit morën pjesë mbi 308 efektivë nga FA me 30 mjete, 3 autoambulanca, 1 autobot uji, 1 helikopter Cougar, 3 automjete zjarrfikëse të bashkisë Lezhë; 1 automjet zjarrfikëse nga bashkia Mirditë, 3 automjete zjarrfikëse nga Kamza, 4 automjete zjarrfikëse nga Tirana, 1 automjet zjarrfikëse nga Mati, 1 automjet zjarrfikëse nga Berati, 1 automjet zjarrfikëse nga Fieri, 1 automjet zjarrfikëse nga Lushnja, 1 automjet autobot nga Shkodra, 1 automjet zjarrfikëse nga Vau Dejës, 1 automjet zjarrfikëse nga Kukësi, 1 automjet zjarrfikëse nga Porti Shëngjin, 1 automjet zjarrfikëse nga Porti Durrës, dhjetëra forca Policore dhe Urgjenca Mjekësore”, vijon noftimin. AKMC bën të ditur se për shuarjen e zjarrit u angazhuan dhe koordinua puna me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile (UCPM) me dy avionë Canadair të qeverisë italiane. AKMC shpreh vlerësimin, mirënjohje dhe falënderim për çdo punonjës, personel dhe vullnetar që ka marrë pjesë në këtë operacion, falë punës së të cilëve u shpëtuan jetë njerëzish, qendra të banuara dhe ekonomi.