Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot lidhur me situatën nga reshjet e dëborës që kanë përfshirë zonën veriore dhe në zonën juglindore të vendit.

Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë:

Akset rrugore

Në qarkun e Dibrës, Rruga e Arbrit është e pakalueshme, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

Aksi rrugor Kir-Shosh është bllokuar si pasojë e shembjeve të dherave dhe reshjeve të dëborës.

Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit” ka prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë thanë ka reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Në terren janë shërbimet e policisë rrugore

Akset kryesore Trebisht, Ostren të bashkisë Bulqizë me qendrat administrative, janë të bllokuara nga reshjet e borës.

Akset kryesore Selishtë, Lurë të bashkisë Dibër me qendrat administrative, janë të bllokuara nga reshjet e borës.

Rekomandohen përdoruesit e rrugës te lëvizin me shpejtësi të kufizuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe në akset me dëbore të përdorin gomat dimërore.

Portet

Në portet e Durrësit dhe Vlorës nuk janë raportuar probleme për lundrimin e anijeve.

Furnizimi me energji elektrike

Sipas raportimeve të OSSH, numri total i konsumatorëve të mbetur pa energji elektrike nga defektet TM-TU është 92 Abonentë, nga të cilët 27 abonentë janë në zonat urbane, 43 janë abonentë në zonat rurale dhe 22 abonentë në zona rurale të thella.
Janë duke punuar ekipet e OSSHE për rikthimin sa më parë të energjisë elektrike.

Lumenjtë dhe rezervuaret

Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.