Një grup përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) kanë zhvilluar një vizitë studimore në Tokio, Japoni, në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Risqeve nga Fatkeqësitë (NbS-DRR)”, një vend ku 70% e sipërfaqes përbëhet nga pyje.

Gjatë kësaj vizite, e cila kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në menaxhimin e pyjeve dhe zbatimin e metodave për zvogëlimin e risqeve natyrore, përfaqësuesit shqiptarë morën pjesë në trajnime intensive me ekspertët japonezë, të cilët prezantuan strategjitë më të përparuara për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje.

Këto trajnime përfshinin teknika për përdorimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë për zvogëlimin e risqeve nga fatkeqësitë, si dhe për aplikimin e teknologjive të reja për mbrojtjen e burimeve natyrore.

Grupi shqiptar vizitoi institucione si Agjencia e Pyjeve dhe Agjencia e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive, ku u prezantuan projekte për mbrojtjen e pyjeve dhe metodat për kontrollin e erozionit, si dhe u demonstruan aktivitetet më të fundit për menaxhimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore.

Eksperienca të tilla e ndihmojnë AKMC-në në misionin për forcimin e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e zjarreve në pyje dhe zbatimin e zgjidhjeve inovative për zvogëlimin e risqeve natyrore në Shqipëri.