Qendra për koordinimin dhe përhapjen e informacionit shkencor dhe Biblioteka shkencore e Akademisë së Shkencave nisën kualifikimet e stafit bibliotekar.
Pas reformimit të Akademisë së Shkencave dhe ribashkimit të saj me institutet shkencore të albanologjisë, fondi i Bibliotekës shkencore të ASHSH-së është zgjeruar edhe me koleksionet e bibliotekës albanologjike të instituteve.
Në këto kushte, ishte i domosdoshëm digjitalizimi i kësaj pjese të rëndësishme që tashmë funksionon si pjesë qendrore e fondit të bibliotekës së Akademisë së Shkencave, një fond i vyer në ndihmë të kërkuesve shkencorë.
Digjitalizimi, si një proces i rëndësishëm i bibliotekës, lidhet jo vetëm me regjistrimin e njësive bibliografike të fondit të saj, por dhe me vazhdimin e krijimit të bibliografive shkencore online dhe së shpejti, do të pasurohet me procese inovative që lidhen me regjistrimin e artikujve shkencorë me tekst të plotë, që do të synojnë të bëjnë të mundur vlerësimin e arritjeve shkencore në platforma ndërkombëtare të publikimeve shkencore.