AIDSSH, dy botime akademike dhe didaktike për kampin-burg të Spaçit

0
0

Në një kohë kur e vërteta kërcënohet nga dezinformimi i atyre që ende i bëjnë apologji totalitarizmit, “të ndihmuar” nga indiferentët mbërthyer tek ngjarja e ditës, AIDSSH vjen me dy botime, akademike dhe didaktike, për një nga ngjarjet më emblematike të diktaturës siç është revolta e të burgosurve politikë në kampin-burg të Spaçit, 21-23 maj 1973, historia e punës së detyruar dhe ajo e 2000 njerëzve që u lënduan përjetësisht në të.

Botimi akademik “50 vjet nga revolta në burgun e Spaçit – Dëshmojnë të mbijetuarit dhe familjarët e tyre” dhe ai për fëmijë, “Diellin lind në Spaç”, janë botime që mbartin rëndësinë e njohjes të së kaluarës, ku nëpërmjet dokumenteve dhe dëshmive ekspozohen motivet e fshehura të pushtetit nën maskën e luftës ndaj “armikut të popullit” dhe vizatohen tiparet dehumanizuese të diktaturës, si: dënimi i padrejtë, puna skllavëruese, vdekjet nën shembjet e galerive, nga kequshqyerja, pushkatimet dhe deri tek zhdukja e trupave të kundërshtarëve politikë.

Përmes këtyre botimeve AIDSSH synon përmbushjen e objektivave të Planit Strategjik 2023-2028, ku cilësohet prezantimi i Autoritetit si një platformë për angazhimin publik dhe kuptimin e të kaluarës komuniste në Shqipëri.

Në të dy botimet rëndësi ka marrë rezistenca e të burgosurve politikë ndaj regjimit, një ngjarje e rrallë për kohën dhe forcën e pushtetit. Puna e thelluar nxjerr Spaçin në dritë nëpërmjet qasjes në burimet parësore arkivore duke i dhënë një përgjigje dezinformimit mbi të kaluarën nëpërmjet fakteve, analizës ligjore dhe kujtimeve të të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre.

Për herë parë, AIDSSH në kuadër të marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit për përfshirjen në kurrikulat mësimore të ngjarjeve të së kaluarës, sjell botime për nxënësit e sistemit parauniversitar me “Spaç, historia e një revolte” (2013) ndërsa për grupmoshat e ciklit të arsimit 9-vjeçar vjen libri

“Dielli lind në Spaç”, kur përveç historisë, jepet koncepti mbi diktaturën, si u pasqyrua ajo në sytë e fëmijëve, pasuruar me informacionin didaktik mbi të drejtat e njeriut dhe grafikat ilustruese.

Edhe pse janë kaluar 30 vjet, ende ka mungesë llogaridhënieje për krimet e kryera në atë kamp dhe në sistemin e punës së detyruar në përgjithësi. Zbardhja e historisë u jep mundësi të mbijetuarve që të tregojnë dhe të riafirmojnë identitetin e tyre si viktima të regjimit, si një mënyrë për të rimarrë kontrollin mbi narrativën dhe të ndihmojë në shërimin e plagëve psikologjike.

Faktet e mbledhura në botimin kryesor mbështetësin procesin e identifikimit dhe rigjetjes së mbetjeve të viktimave që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit.

Kjo zbardhje e historisë së Spaçit tregon se ende kemi shumë për të mësuar nga e kaluara, për të ndërtuar një të ardhme të drejtë dhe demokratike, duke u ballafaquar plotësisht me të vërtetën e asaj kohe.