Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) hap thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM), për vitin 2024, të financuar nga buxheti i shtetit. Kjo thirrje mbështet zhvillimin e NMVM-ve brenda territorit të Shqipërisë, duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit, si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse. NMVM do të mund të përfitojnë mbulim 100 % të kostove të miratuara deri në 2.5 milionë lekë. Për ndërmarrjet që operojnë në fushën e Inovacionit mbështetja do të jetë deri në 1 milion lekë. Për konkurrueshmërinë fondi në dispozicion është 1.5 milionë lekë, për startup-et 800 mijë lekë dhe po aq edhe për mbështetjen e biznesit kreativ. Kjo me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm. Aplikimi do të realizohet nëpërmjet adresës elektronike: [email protected] Thirrja për projektpropozime do të qëndrojë e hapur nga data 12 korrik 2024 deri më 11 gusht 2024.