AIDA është Agjencia Shtetërore që merret me promovimin e Shqipërisë si një destinacion investimesh dhe tërheqjen e këtyre investimeve të huaja në vend. Gjatë prezantimit të të dhënave të kësaj agjencie për vitin 2022, përfaqësuesja e AIDA-s, Sara Zotaj tha se “edhe pse do të duhet të presim të dhënat e fundit për gjithë vitin, për t’i krahasuar me vitin e mëparshëm në mënyrë që të flitet konkretisht, megjithatë shikohet se ka një trend pozitiv në krahasim me vitet e mëparshme”. “Sektorët kryesorë, të cilët mbajnë peshën më të madhe në stokun dhe fluksin e investimeve në Shqipëri janë sektori i energjisë, i cili ka një ndikim shumë të madh, dhe ne presim që të kemi zhvillime në këtë sektor edhe në vitin 2023, kjo duke marrë në konsideratë dhe krizën energjitike që po ndodh në botë. Shqipëria është e bekuar me kushte të favorshme klimaterike, të cilat mundësojnë investime në sektorēt e energjisë së rinovueshme, kryesisht në sektorin e energjisë së rinovueshme diellore”, tha Zotaj, përgjegjëse e Sektorit të Investimeve dhe Aftercare në AIDA. Për tre vitet e fundit, investimet e huaja dominohen kryesisht nga Holanda, Zvicra, Italia dhe Turqia. “Për 6-mujorin e parë, në terma të fluksit të investimeve Italia mban vendin e parë”, tha Zotaj, duke shtuar se duhet të priten të dhënat e tjera për të parë si ndryshon renditja e shteteve, megjithatë vendet e lartpërmenduara janë shtetet që kanë impaktin më të madh në terma të fluksit dhe stokut të investimeve në Shqipëri. “Në 2016, ka hyrë në fuqi një ligj që synon të promovojë investimet strategjike në Shqipëri, dhe disa nga masat mbështetëse, të cilat parashikohen nga legjislacioni synojnë që ta paraqesin Shqipërinë si një destinacion atraktiv investimesh dhe në secilin sektor masat mbështetëse të cilat janë në fuqi janë eficiente dhe tërheqëse për investitorët e huaj. Për secilin sektor ka masa mbështetëse në terma të mbështetjes fiskale, qoftë edhe administrative, të cilat janë shumë të rëndësishme për investitorët, duke e bërë Shqipërinë një destinacion tërheqës, dhe shpresuar që këto masa mbështetëse të vijojnë të jenë atraktive për të tërheqjen e më shumë investitorëve të huaj”, theksoi ajo në konferencën që zhvilloi në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. https://ata.gov.al/2022/12/02/aida-3-vitet-e-fundit-dominojne-investimet-nga-holanda-zvicra-italia-dhe-turqia/
AIDA: dominojnë investimet nga Holanda, Zvicra, Italia dhe Turqia
RELATED ARTICLES