Kruja, përtej asaj që është kthyer sot në një destinacion të turizmit historiko-kulturor, po njeh fluks në rritje të turistëve vendas dhe të huaj që po nxitet edhe nga investimet në sektorin e agroturizmit.
Djali i familjes Bardhi tregoi se si nisi ky investim, fillimisht për ngritjen e fermës blegtorale, me pas me ndërtimin e serrave, ku prodhohen të gjitha llojet e perimeve, ngritjen e vreshtave dhe ndërtimin e kantinës së verës dhe deri në investimin për ngritjen e njësive akomoduese, që e kanë kthyer këtë investim në një sipërmarrje agroturistike me të gjithë elementët përkatës.
Ai tregon se vizitorët e shumtë kanë interes të njohin zonën, por edhe të shijojnë kulinarinë, që ofron ushqime dhe gatime cilësore me produkte të fermës familjare.
“Turistët pothuajse vijnë nga e gjithë bota. Puna sa vjen e shtohet. Kjo punë do pasion brenda, për ta realizuar siç duhet. Këtu produktet janë 100% bio.”
“Për shkak të fluksit të lartë të turistëve, ne po bashkëpunojmë edhe me fermerë të zonës për furnizimin me prodhime bujqësore, që janë 100% të zonës së Krujës dhe janë shumë cilësore e organike”, tha ai.