Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile zhvillon stërvitjen e parë të saj “FloodNorthAlb”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, duke synuar përmirësimin e aftësive reaguese në rast të përmbytjeve. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes një njoftimi në rrjetet sociale bën të ditur se misioni i stërvitjes përfshin koordinimin e strukturave vendore dhe qendrore të Sistemit te Mbrojtjes Civile në Shqipëri, si dhe ato ndërkufitare, duke integrur praktikat më të mira të UCPM. “Takimi Parë për Ushtrimin Kompleks në terren “FloodNorthAlb” shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit të Mbrojtjes Civile në Shqipëri. Kjo stërvitje komplekse, me përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, pjesë e konsorciumit – Greqia, Mali Zi, Italia, Qipro – synon përmirësimin e aftësive reaguese në rast të përmbytjeve”, bëhet me dije në njoftim. “Misioni i stërvitjes përfshin koordinimin e strukturave vendore dhe qendrore të Sistemit te Mbrojtjes Civile në Shqipëri, si dhe ato ndërkufitare, duke integruar praktikat më të mira të UCPM.
Diskutimet konkrete dhe konstruktive gjatë dy ditëve të aktivitetit kanë fokusuar në planifikimin e ushtrimit, përfshirë simulimin e situatave të përmbytjeve në Shkodër”, vijon njoftimi. “Roli kyç i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si Leadpartner, në këtë bashkëpunim me partnerët vendore dhe ndërkombëtar shërben për të krijuar një sistem të fortë të gatishmërisë dhe reagimit në rast të fatkeqësive të mëdha. Angazhimi i strukturave operacionale, pushtetit vendor, dhe institucioneve të Mbrojtjes Civile, si dhe mbikëqyrja e Brukselit, theksojnë përpjekjet për forcimin e sistemit dhe përparimin drejt standardeve të UCPM”, thuhet në njoftim. “Bashkë drejt një sistemi më të fortë të gatishmërisë dhe reagimit në rast të fatkeqësive të mëdha”, përfundon njoftimi.