Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALESHENDETESIAgjenci Kombëtare për kontrollin e kanabisit mjekësor dhe industrial

Agjenci Kombëtare për kontrollin e kanabisit mjekësor dhe industrial

Projektligji i ri për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës kanabis dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale” i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Brendshme, pas nismës së Këshillimit Kombëtar, do të lejojë përdorimin për eksport të bimës së kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial. Gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ministrja Manastirliu tha se do të ngrihet një agjenci e posaçme në nivel kombëtar. “Agjencia e Kontrollit të Kanabisit, e cila ngrihet për herë të parë, është një agjenci buxhetore që do të ketë për mision mbikëqyrjen, kontrollin e përpunimin e bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale. Kjo agjenci do të organizojë procedurat për dhënien e licencave, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, do të mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve të licencuara; do të bashkëveprojë me të gjithë organet kompetente me qëllim realizim e objektivave dhe detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, do të bashkëpunojë me Qendrën Europiane për monitorimin e drogave dhe varësisë dhe bordin ndërkombëtar të kontrollit të narkotikëve. Do të ketë në përgjegjësinë e saj administrimin e regjistrit, pra bazës së të dhënave, statistikave në nivel kombëtar. Do të lëshojë autorizimet e eksportit për kanabisin industrial dhe nënproduktet për qëllime industrial. Kjo Agjenci do të ketë në funksion e saj edhe ngritjen e Komisionit të Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave të paraqitura për marrjen e licencës për kultivimin e kanabisit”,- tha Manastirliu. Duke folur për qëllimet e ketij projektligji, ministrja Manastirliu u shpreh se “nga të gjithë analizat që ne kemi bërë nga praktikat më të mira ndërkombëtare, ajo që kemi vlerësuar janë aspektet që lidhen me realizimin e këtij ligji që bëhet për herë të parë dhe ku ne kemi përfshirë arsyet përse vendet në botë, dhe pse Shqipëria duhet të eci në këtë drejtim. Sigurisht që vlerësohet oportuniteti ekonomik; kultivimi i kanabisit krijon mundësi ekonomike domethënëse, përfshirë këtu edhe kulturat e kultivimit të kanabisit, siç është kerpi për aspektet industriale”. “Nga ana tjetër, aksesi për trajtimet efektive për qëllime mjekësore ka ecur përpara, sepse tashmë janë një seri barnash të prodhuara me bazë kanabis që kanë efekte lehtësuese dhe rezultate pozitive për sa i përket trajtimeve të ndryshme të dhimbjes kronike, sklerozës multiple, epilepsisë, dhimbjet të cilat shkaktohen nga tumoret apo dhe HIV-AIDS. Sigurisht që një prej arsyeve të tjera që në Botë ka një aspekt të përfshirjes së cannabis-it në ekonomi dhe hapjen e industrisë ka lidhje me zgjerimin e tregut ndërkombëtar, për mundësinë e eksportit me vendet që kanë legalizuar cannabis-in mjekësor kanë përfitime në tregun ndërkombëtar. Një element tjetër është reduktimi i tregut ilegal”,- tha Manastirliu. Projektligji për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale” është konsultuar me grupet e interesit, shoqërinë civile, partnerë dhe zyrën e BE në Shqipëri. Ky projektligj është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Bima e kanabisit për qëllime mjekësore është i legalizuar në mbi 35 shtete, si, Greqia, Izraeli, Danimarka, Kanadaja, Republika e Maqedonisë së Veriut, Holanda. Në kontinentin evropian janë 22 vende që kanë një legjislacion specifik për përdorimin dhe eksportin e kanabisit për arsye mjekësore dhe industriale. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments