Udhëtarët në aeroportet italiane po përgatiten për vonesa, për shkak të grevës së stafit tokësor, ndërsa shumë fluturime sot janë anuluar. Shoqata italiane për mbrojtjen e konsumatorit “Codacons” vlerësoi se rreth 1 000 fluturime dhe më shumë se 250 000 pasagjerë mund të preken nga greva. Stafi i terrenit është në grevë nga ora 10 e mëngjesit deri në 6 pasdite. Qindra fluturime, përfshirë ato për dhe nga Gjermania, tashmë janë anuluar. Aeroportet u kanë kërkuar udhëtarëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre përpara se të udhëtojnë. Përveç grevës së stafit tokësor, pilotët që punojnë për “Air Malta”, të cilët merren me fluturimet e “Ryanair” në Itali, kanë planifikuar një grevë nga ora 12:00 deri në orën 16:00. Pilotët dhe stjuardesat që punojnë për linjën ajrore buxhetore “Vueling” u është kërkuar gjithashtu të dalin në grevë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 18:00. “Ryanair” lëshoi një njoftim duke thënë se fluturimet drejt dhe nga Italia do të kufizoheshin ose anuloheshin për shkak të grevave. Pas një greve mbarëkombëtare të personelit të transportit të hekurudhave të enjten, kjo është ndërprerja e dytë në transportin publik të Italisë, mes pikut të sezonit të udhëtimeve italiane dhe një vale të të nxehtit. atsh
Aeroportet ndërpresin fluturimet për shkak të grevave
RELATED ARTICLES