Llogoraja, rreth 40 km në juglindje të Vlorës shënon sot 58-vjetorin e shpalljes Park Kombëtar.

Ky park vijon të mbetet një ndër parqet kombëtare më të vizituar në vend në të gjitha stinët.

“21 nëntorin e kujtojmë si ditën e shpalljes së Parkut Kombëtar të Llogorasë, një ndër pasuritë më të mëdha që kemi për biodiversitetin, pyjet, majat përrallore dhe mundësive të mëdha të sporteve e turizmit natyror, së bashku me një prej pikave panoramike më të bukura në Shqipëri ku bluja e detit bëhet njësh me atë të qiellit”, shkruan Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Me rastin e 58-vjetorit të shpalljes Park Kombëtar sot në qendrën e Vizitorëve në Llogora u zhvillua edhe tryeza e gjelbër “Parku Kombëtar Llogora, modeli i parë i ekoturizmit në vend”.

Përmes eksperiencës së inxhinierëve, ekspertëve të mjedisit, historive e modeleve ekoturistike në këtë tryezë u  kremtua dita e shpalljes së parkut dhe vlerat që ai mbart.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë bëri të ditur për ATSH- në se ky park në periudhën janar-tetor u vizitua nga 95 306 vizitorë, nga të cilët 52 949 vendas dhe 42357 të huaj”.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare. Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit.