“No Man is an Island”, projekti më i ri i artistit Adrian Paci.

“No Man is an Island” është një ekspozitë që fton të reflektojmë mbi humanizmin, përgjegjësinë e përbashkët dhe përvojat që na afrojnë, përmes një rrëfimi vizual mbi udhëtimin dhe fuqinë transformuese që ai mbart.

Titulli vjen nga vargjet e poetit anglez, John Donne, që na kujtojnë se askush nuk është një ishull i veçuar, por pjesë e një bashkësie më të gjerë njerëzore.

Artisti Adrian Paci ndërton një narrativë ku udhëtimi bëhet hapësirë reflektimi për përkatësinë, ndërlidhjen dhe sfidat e kohëve tona.

Në inaugurim ishte e pranishme zëvendësministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri si edhe ambasadorja pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.

Adrian Paci ka lindur në vitin 1969, në Shkodër. Ai ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1997 u vendos në Milano. Gjatë karrierës së tij, Adrian Paci ka hapur shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); National Gallery of Kosovo, Prishtina (2012); Kunsthaus Zurich, Zurich (2010); Bloomberg Space, London (2010); The Center for Contemporary Art – CCA, Tel-Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005).

Veprat e tij gjenden në disa koleksione private dhe publike, përfshirë Metropolitan Museum, New York; Muzeun e Artit Modern, New York; Musée d’Art Contemporain de Montréal; Centre Pompidou, Paris; Israel Museum, Jeruzalem; MAXXI, Romë; Fundacio Caixa, Barcelonë; Moderna Museet, Stokholm; Kunsthaus Zürich, Zyrih; UBS Art Collection, Londër; Museum of Contemporary Art, Majemi, Shtetet e Bashkuara; New York Public Library, New York; Solomon Guggenheim Foundation, New York; Seattle Art Museum, Seattle.