Për sa i takon kapacitetit njerëzor dhe trupave ushtarake, admirali Agastra tha se do të ketë një ekuipazh në varësi të misioneve dhe detyrave të saj, përafërsisht një ekuipazh prej 60 personash.

“Këtu përfshihet i gjithë spektri operacional i anijes që nga lundrimi, misioni speciale apo dhe ekuipazhi i helikopterit. Ky ekuipazh përfshin jo vetëm përdorimin e mjetit por dhe shërbimet operacionale speciale që ajo ndërmerr. Sigurisht ne kemi kapacitetet tona me oficerë të trajnuar, kemi n/oficerë shumë të trajnuar dhe trupa të tjerë detar.  Ne kemi filluar procesin e familjarizimit me anijen. Grupi ynë ka shkuar në Itali pranë kësaj anije dhe anijeve të tjera dhe kanë nisur trajnimet dhe bashke me anije do niset dhe grupi tjetër, sigurisht do të nisim dhe kurset dhe trajnimet në shkollat e Marinës Italiane.

Historiku i Forcës Detare Shqiptare nuk e ka pasur më parë këtë kapacitet ushtarak. Si nga pikëpamja e tonazhit dhe kapaciteteve ushtarake. Një kapacitet i tillë detar që shkon përtej hapësirave tona detare nuk e kemi pasur”.

Por admirali tha se ky nuk është rast i izoluar, por “Shqipëria është në diskutim për të marr donacion dy anije të tjera të ngjashme në madhësi dhe dislokim. Një tjetër element bashkëpunimi është dhe ringritja e industrisë ushtarake dhe kompanisë të saj KAYO, me FINCANTIERI që kemi kohë që po negociohet për ngritjen e kapaciteteve për ngritjen e anijeve dhe luftarake në kantierin e Pashalimani”.

Duke folur për objektivin afatgjatë që ka Flota Detare Shqiptare, Admirali u shpreh se ky është objektivi ynë shumë vjeçar.

“Të rrisësh kapacitete e Flotës Detare kërkohet në radhë të parë infrastruktura, kapacitete operacionale dhe fuqia njerëzore. Në të tre këto element në Forcën Detare kanë pasur një ‘boom’ të zhvillimit. Kjo anije është pararendëse e asaj që vjen. Ne e kemi të nevojshme rritjen e kapaciteteve tona luftarake për të mbrojtur hapësirën tonë detare dhe bregdetin e republikës të Shqipërisë. Ne kemi në plan që të ndërtojmë dy anije korvetë dhe më pas një anije të re shumëmisionëshe për Forcën Detare të Republikës së Shqipërisë”.