Administrata Trump po përgatit një program pilot 5-vjeçar që do t’i lejonte “Medicare” dhe “Medicaid” të mbulonin disa nga ilaçet më të kërkuara për humbje peshe – një veprim që mund të transformonte trajtimin e obezitetit për miliona amerikanë.
Plani, i cili përfshin ilaçe të tilla si “Ozempic”, “Wegovy”, “Mounjaro” dhe “Zepbound” përfaqëson një përmbysje në politikën federale dhe sinjalizon një gatishmëri më të gjerë për të përdorur sigurimin publik për të adresuar epideminë e obezitetit në vend.
Pse ka rëndësi?
Barnat, të njohura si agonistë të receptorit GLP-1, u prodhuan fillimisht për të trajtuar diabetin e tipit 2, por janë bërë një fenomen kulturor për aftësinë e tyre për të ulur oreksin dhe për të ndihmuar pacientët të humbasin deri në 20 përqind të peshës së tyre trupore në provat klinike.
Programi pilot mbështetet në një propozim të prezantuar në muajt e fundit të administratës Biden, por u pezullua këtë vit – kur zyrtarët nën drejtimin e presidentit, Donald Trump njoftuan se “Medicare” dhe “Medicaid” nuk do të mbulonin barnat për humbje peshe.
Çfarë duhet të dini?
Sipas dokumenteve të siguruara nga “The Washington Post” – programi do t’u lejonte programeve shtetërore “Medicaid” dhe planeve të “Medicare Part D” të mbulonin vullnetarisht barnat GLP-1 për menaxhimin e peshës.
Iniciativa është planifikuar të fillojë në prill 2026 për “Medicaid” dhe në janar 2027 për “Medicare” dhe do të administrohet përmes Qendrës për Inovacionin e “Medicare” dhe “Medicaid”, e cila teston modele të reja pagese të dizajnuara për të ulur kostot dhe për të përmirësuar kujdesin.
“Chiquita Brooks-LaSure”, e cila drejtoi Qendrat për Shërbimet e “Medicare” dhe “Medicaid” nën drejtimin ish-presidentin Joe Biden, tha se eksperimenti do të ishte një “ndryshues i lojës” nëse zgjeron aksesin në trajtimet e obezitetit.
“Rritja e mbulimit të barnavr kundër obezitetit në “Medicare” dhe “Medicaid” ishte një përparësi gjatë mandatit tim sepse shkencëtarët dhe klinicistët besojnë gjithnjë e më shumë se obeziteti është një gjendje serioze shëndetësore që duhet të trajtohet në përputhje me rrethanat,” tha ajo.
Programi përballet me një pengesë të madhe: çmimin. Barnat GLP-1 zakonisht kushtojnë nga 5,000 deri në 7,000 dollarë në vit, duke ngritur pyetje nëse mbulimi i gjerë është i qëndrueshëm.
“Kostoja afatshkurtër është ende e madhe”, tha për “Newsweek” Dr. Cynthia Cox, nënkryetare në KFF (ish Fondacioni i Familjes Kaiser).
“1,000 dollarë në muaj për person është një shpenzim masiv”, tha ajo.
Një analizë e KFF zbuloi se çmimi i listuar i “Ozempic” në SHBA është 936 dollarë në muaj – më shumë se pesë herë më i lartë se kostoja në Japoni, ku shitet për 169 dollarë.
“Wegovy”, i cili përmban të njëjtin përbërës aktiv, kushton afërsisht 1,349 dollarë në muaj në SHBA, krahasuar me 328 dollarë në Gjermani.
Për momentin, 13 programe shtetërore “Medicaid” mbulojnë barnat GLP-1 për obezitetin.
“Medicare” kufizon mbulimin për pacientët me probleme si diabeti ose sëmundjet e zemrës.
Me rreth 70 milionë njerëz të regjistruar në “Medicaid” dhe 65 milionë në “Medicare”, edhe zgjerimi i pjesshëm mund të ndikojë në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
“Këto ilaçe ndihmojnë mbi 50 përqind të njerëzve të humbasin deri në 25 përqind të peshës së tyre trupore”, tha Dr. Robert Klitzman, nga Universiteti i Kolumbias, në një intervistë me “Newsweek”.
“Por ato kushtojnë rreth 12,000 dollarë në vit. Nëse dy të tretat e amerikanëve do të kishin nevojë për to, kjo do të falimentonte sistemin e kujdesit shëndetësor”, tha ai.
Pavarësisht shqetësimeve financiare, barnat GLP-1 po rrisin entuziasmin midis mjekëve për aftësinë e tyre për të përmirësuar shërbimet shëndetësorë përtej humbjes së peshës.
Provat klinike tregojnë se ato mund të ulin sheqerin në gjak, të ulin presionin e gjakut dhe të përmirësojnë rezultatet kardiovaskulare.