Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se ka përmirësuar sistemin E-filing, lidhur me paraplotësimin automatik të deklaratës së TVSH-së.

Sipas DPT-së, ky funksion i ri do të përdoret që nga periudha prill 2025 dhe ka për qëllim të lehtësojë deklarimin e TVSH-së, duke plotësuar automatikisht të dhënat në deklaratë, bazuar në transaksionet e regjistruara në librat e shitjes dhe blerjes, përmes sistemit të fiskalizimit.

Paraplotësimi ndodh vetëm pasi librat të jenë dërguar nga sistemi SelfCare në E-filing, qoftë kur tatimpaguesi i mbyll vetë para datës 10, qoftë kur dërgimi bëhet automatikisht pas këtij afati.

Tatimpaguesit mund të ndryshojnë të dhënat e paraplotësuara, por nëse bëjnë ndryshime në librat Excel, ato nuk reflektohen automatikisht në deklaratë – ndaj duhet t’i përditësojnë edhe vetë në deklaratën e TVSH-së.

DPT sjell në vëmendjen e tatimpaguesve se deklarata duhet të dorëzohet nga tatimpaguesi deri më 14 të muajit pasardhës, sipas afatit ligjor.