Abazoviç: Ballkani Perëndimor i hapur ndaj përvojave skandinave për energjinë

0
10

Besoj se kjo temë nuk vinte dot në një moment më të mirë, pasi është absolutisht një çështje që trajton thelbin sepse është një problem, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Europën, që është goditur nga një krizë e jashtëzakonshme energjetike, deklaroi kryeministri malazez, Dritan Abazoviç në konferencën e organizuar në Beograd për energjinë. ”Ajo çfarë mund të themi… është që vendet e Ballkanit Perëndimor janë tejet të hapura për përvojat që vijnë nga vendet skandinave, sidomos ato që vijnë nga Norvegjia për ndërtimin e objekteve të reja energjetike”, theksoi ai. ”Prodhimi i energjisë së gjelbër që është veçanërisht me rëndësi për Malin e Zi. Ashtu si shumë vende, por ne e kemi ndjerë më shumë, kemi një lloj çekuilibri mes stinës së pranverës dhe asaj të verës dhe të dimrit kur vjen fjala për importimin e energjisë elektrike”, tha ai. ”Ky koncept është i papranueshëm për ne, duke qenë se shumica e qyteteve në Malin e Zi ka më shumë se 250 ditë diell. Pra, ideja është që të ndërtojmë impiante të reja. Në fakt, qysh prej kohës së ish-Jugosllavisë nuk është se kemi ndërtuar objekte thelbësore dhe të rëndësishme energjetike. Kanë qenë disa, por jo shumë të mëdha. Ideja është që të kemi një ndërtim aktiv të objekteve energjetike, sidomos kur vjen fjala për impiante diellore, impiantet e energjisë të erës dhe gjithashtu edhe një impiant për gazin e lëngshëm natyror në portin e Barit që do të lidhej me impiante të cilat do të prodhonin energjinë e gazit. Këto janë disa nga ambiciet që ne kemi”, shtoi Abazoviç. ”Kemi patur një diskutim që rritja ekonomike do të sjellë një konsum më të madh. Unë besoj që të gjithë ne jemi përkushtuar një objektivi të përbashkët, duam të punojmë së bashku dhe në fakt, thirrja që vjen nga njerëzit që janë këtu është e justifikuar; na duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje për të pasur një qasje të përbashkët, për të patur treg më të madh, treg energjetik më të shtrirë dhe disa projekte të përbashkëta, të cilat mund t’i shfrytëzojnë në të mirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Të ecim drejt ndërtimit të më shumë objekteve energjetike për të prodhuar nga burimet e energjisë së përtëritshme, që është prodhim edhe më i gjelbër, pasi ky është synimi, jo vetëm i Malit të Zi, por edhe i vendeve të tjera në rajon”, përfundoi kryeministri malazez.https://ata.gov.al/2022/11/17/beograd-abazovic-ballkani-perendimor-i-hapur-ndaj-pervojave-skandinave-per-energjine/