Kur udhëton në lindje të Shkodrës, përmes një peizazhi mistik natyror dhe mes labirinthesh, të shfaqen para syve rrënojat e hershme të një manastiri. Ai është ndërtuar në qendrën e fshatit Mazrek dhe rrënojat gëzojnë një pamje panoramike mbi luginën e Drinit, ku përballë mund të dallohet edhe ishulli i Shurdhahut. Sipas shkrimeve të Dom Gasper Gurakuqit, abacia i është kushtuar Shën Sofisë në Shat. “Mes Dejës e Shatit të Mazrekut gjenden gërmadhat e një kishe të bukur, me kybe të lartë me një kapele relikesh (eshtnash) e me ndërtesa të mëdha”, kështu e përshkruan Dom Gurakuqi këtë manastir impresionues. Rrënojat e Kishës së Shatit janë shpallur Monument Kulture, Kategoria l, në vitin 1984. Ekipi i mirëmbajtjes së DRTK Shkodër vijon punët e përditshme në funksion të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të sinjalistikës së pasurive kulturore dhe ka përfunduar vendosjen e panelit informativ në dy gjuhë në këtë objekt si dhe pastrimin nga vegjetacioni të territorit përreth pasurisë kulturore. Në burimet historike, nga fundi i shek. XII dhe në një dekret të senatit Venecian të vitit 1346, shkruhet “Giorgio Strazimiro Balsa cum sui pertinentiis et monastero Sati cum dohana Dagno” si zotërim i Balshajve. Në vitin 1510 objekti u shënua për herë të parë si manastir i braktisur.