Aktiviteti u zhvillua në ambientet e GIZ në Tiranë, në bashkëpunim me GIZ dhe PKF Albania.
Gjatë trajnimit, Julian Saraçi, auditues ligjor dhe konsulent i pavarur trajtoi çështje kyçe që lidhen me themelimin, regjistrimin, qeverisjen dhe administrimin e shoqërive tregtare, me fokus të veçantë mbi rastet e shoqërive të vendosura nën sekuestro apo konfiskim.
Trajnimi synoi rritjen e njohurive dhe aftësive praktike të stafit të AAPSK, duke u bazuar në ligjërime interaktive, analizë rastesh dhe diskutime mbi situata konkrete të hasura gjatë administrimit të subjekteve tregtare.
Gjatë sesionit, pjesëmarrësit u njohën me kuadrin ligjor dhe konceptet bazë të ligjit 9901, përfshirë strukturën dhe format e shoqërive tregtare, si dhe me procedurat e themelimit dhe regjistrimit të shoqërive në QKB, dokumentacionin përkatës dhe hartimin e statutit.
Po ashtu temë e këtij trajnimi ishte edhe qeverisja korporative dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese, me theks te roli i administratorëve dhe mënyrat e përfaqësimit ligjor, si dhe të drejtat dhe detyrimet e aksionarëve, mekanizmat e vendimmarrjes dhe menaxhimin e konflikteve të interesit.





