Moti gjatë kësaj jave pritet të jetë i paqëndrueshëm në të gjithë territorin shqiptar, me alternime vranësirash, diell si dhe reshje shiu. Meteorologia Lajda Porja, në një lidhje “live” për Euronews Albania, paralajmëroi se dita e enjte pritet të jetë me rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të territorit të vendit.“Këto ndryshime të kushteve atmosferike do t’i vëmë re nga e hëna deri ditën e premte, ku do të kemi kthjellime, vranësira, lagështirë dhe reshje të kalimtare”, tha meteorologia.Sipas saj, pas një jave me temperatura deri në 41 gradë Celsius, këtë të hënë termometri do të zbresë në 31-32 gradë dhe do të vijojë me një rënie graduale gjatë javës. “Pas një jave me temperaturë 41 gradë Celsius, sot termometri do të zbresë në 31-32 gradë Celsius dhe do të shënojë një ulje graduale gjatë javës, ku të enjten pritet të zbresin deri në 9 gradë”, shtoi ajo.Pas datës 7 gusht, sipas parashikimit të Porjës, pritet një valë e re e të nxehtit afrikan që do të sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave deri në 41 gradë Celsius në disa zona. Sa i përket bregdetit, reshje afatshkurtra parashikohen vetëm gjatë ditës së enjte. Ndërkohë, një problem i vazhdueshëm për këtë javë do të jenë erërat e forta, të cilat mund të arrijnë shpejtësi deri në 40-45 km/orë, duke sjellë trazira në det, veçanërisht në brigjet e Jonit.Për vendet e rajonit, Lajda Porja u shpreh se do të ketë prezencë të vranësirave, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi do të përballen me mot të paqëndrueshëm. Në Maqedoninë e Veriut, reshjet pritet të jenë më të pakta. “Pas datës 7 gusht, i gjithë Gadishulli i Ballkanit do të preket nga një valë e të nxehtit, me temperatura që do të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, duke rikthyer motin e nxehtë afrikan”, përfundoi Porja.