Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se raketat amerikane “Javelin”, pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohësh. Ai shton se vendi ka ekzekutuar të gjitha pagesat në bazë të planit të paraparë dhe se sistemi “Javelin”, do të jetë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë, por nuk specifikoi një datë për shkak, siç tha të konfidencialitetit që ka procesi. Maqedonci thekson se Kosova tashmë zotëron sistemin e raketave turke “OMTAS”, që është i ngjashëm me atë “Javelin”. Ministri i Mbrojtës në një intervistë për KosovaPress, thekson se qeveria Kurti në tri vitet e fundit ka investuar rreth 240 milionë euro në blerje të sistemit të armatimit. Ai shton se në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën e 2 për qind të bruto-produktit vendor, që sipas tij, është synim të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s. Ministri nënvizon se investimi në mbrojtje nga Qeveria do të vazhdojë të jetë në 2 për qind edhe gjatë këtij viti dhe vitet e ardhshme. Në anën tjetër, Maqedonci për KosovaPress flet edhe për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, për çka thotë se të njëjtat janë brenda parametrave normal dhe se nuk preket operacionaliteti i FSK-së. Krahas këtyre, ministri Maqedonci thotë atashetë ushtarak të Kosovës janë të vendosur në disa prej qendrave kryesore diplomatike, por shtoi se janë në planifikim të vendosjes së atasheve edhe në disa vende të tjera që vlerësojnë se është e rëndësishme. Ndërkaq, sa i përket Fondit të Sigurisë, ai tha se i njëjti vazhdon të mbetet konfidencial, por ftoi qytetarët të kontribuojnë.
Raketat amerikane “Javelin” pritet të arrijnë së shpejti në Kosovë
RELATED ARTICLES