Saturday, November 23, 2024
HomeMJEDISPërurohet kalaja e restauruar e Ishmit

Përurohet kalaja e restauruar e Ishmit

Kalaja e Ishmit në Durrës iu kthye komunitetit pas restaurimit të kryer falë programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe bashkia e Durrësit.

Në pjesën lindore të kalasë, pjesë e bashkisë Durrës, mund të shohësh pllajën e Ishmit dhe malet Krujë-Dajt, ndërsa në perëndim, deltën e lumit Ishëm, kepin e Rodonit dhe një pjesë të bregut të detit Adriatik.

Kjo kala, e ndërtuar në vitet 1572-1574 u shpall monument i kategorisë I në vitin 1977. Përballë hyrjes së kalasë ndodhet varri i piktorit të famshëm shqiptar, Ibrahim Kodra.

Kjo kala u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe ishte në gjendje kritike para restaurimit. Punimet përfshinë muret fortifikuese dhe vijuan me restaurimin dhe konsolidimin e terrenit dhe peizazhit në brendësi të kalasë.

Gjatë ceremonisë u shpall edhe thirrja e 3-të publike për propozime të EU4Culture, e cila synon të promovojë dhe mbështesë rritjen sociale dhe ekonomike të komuniteteve që rrethojnë objektet e trashëgimisë kulturore të projektit.

EU4Culture ftoi organizatat jofitimprurëse në bashkitë e Durrësit, Kavajës, Krujës, Kurbinit, Lezhës, Mirditës, Rrogozhinës dhe Tiranës të paraqesin propozimet e tyre për financimin e projekteve që mbështesin komunitetet që jetojnë në zonat përreth siteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.

Afati i aplikimit është i hapur deri më 30 qershor 2024.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë po zbaton programin 4-vjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian, EU4Culture: “Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në përgjigje të tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, 2020-2024.”

Kjo nismë synon të zbusë ndikimin e tërmetit në trashëgiminë kulturore, duke rijetëzuar dhe shtuar vlerën objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti, e si rrjedhojë duke ndihmuar në nxitjen dhe rimëkëmbjen social-ekonomike të Shqipërisë përmes rritjes së potencialit turistik të vendit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments