Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, po jetësohet me ritme të shpejta. Deri tani ka përfunduar puna për betonimin e tunelit kryesor në të gjithë gjatësinë e tij, ndërsa po vijohet për për vendosjen e sistemit elektromekanik dhe sistemin e ndriçimit. Paralelisht po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit. Tuneli kryesor, 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës. Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore. Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët.