Dom Nikollë Kaçorri, atdhetar, klerik e nënshkrues i Aktit të Pavarësisë (1862-1917). Kaçorri lindi në Krej të Lurës në vitin 1862. Ishte atdhetar e diplomat shqiptar dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit. Ipeshkvi i Durrësit, dom Ambrosio, e mori me vete dhe e çoi në shkollë. Më 1882 mbaroi kolegjin urban për retorikë dhe gramatikë. Po atë vit shkoi në Romë ku vijoi studimet për gramatikë dhe retorikë në kolegjin urban atje. Më pas studioi për teologji, filozofi e shkenca politike në Universitetin “Zeking” në Zyrih. Më 1893 u kthye në Shqipëri, ku gjatë viteve 1905-1907 drejtoi kryengritjen e armatosur në Kurbin. Pajisi popullin me 500 armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës dhe në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i parapriu shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1909 në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.