Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEARSIMSteiner: Austria mbështetje në arsimin profesional

Steiner: Austria mbështetje në arsimin profesional

Ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Christian Steiner deklaroi se Shqipëria dhe Austria po intensifikojnë bashkëpunimin në arsim, duke i paraprirë edhe integrimit të vendit në BE.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës, që u mbajt sot në Tiranë, Steiner tha se marrëveshja synon ta transformojë UBT-në në një universitet me standarde europiane.

“Marrëveshja e nënshkruar sot është pjesë e bashkëpunimit të gjatë në arsim mes Shqipërisë dhe Austrisë. Mjafton të kthemi, pas midis dy luftërave botërore, ku shumë shqiptarë, si shkrimtari Lasgush Poradeci studiuan në universitet austriake. Para Luftës së Parë Botërore shumë studiues austro-hungarezë hulumtuan në tokat shqiptare duke kontribuar kështu edhe për zhvillimin e albanologjisë. Që prej rënies së komunizmit bashkëpunimi në fushën e arsimit është një element i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe. Prej shumë vitesh Austria po mbështet arsimin profesional në Shqipëri, veçanërisht në fushën e IT dhe turizmit, si në shkollën “Hermann Gmeiner”, në Tiranë dhe shkollat e turizmit në Sarandë dhe Korçë. Sa i përket arsimit të lartë, në tri dekadat e fundit ka pasur shumë bashkëpunim mes universiteteve shqiptare dhe atyre austriake”, tha ambasadori austriak.

Sipas tij, intensifikimi i bashkëpunimit në arsim përputhet mirë edhe me konceptin e integrimit gradual të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Austria e nisi këtë iniciativë plotësuese krahas negociatave para dy vitesh dhe vijon ta ndjekë në BE me partnerë të një misioni të përbashkët, si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. Komisioni Europian, në nëntor të vitit 2023 paraqiti konceptin e integrimit gradual e të avancuar, si pjesë përbërëse e politikës së zgjerimit. Shqipëria dha sinjalin që është gati të përfshihet intensivisht”, u shpreh ambasadori.

Në përfundim ambasadori Steiner u shpreh se priste me padurim shumë të diplomuar me ekspertizë austriake në sektorin bujqësor, që sipas tij është i rëndësishëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments