Tenori shqiptar nga Kosova me famë botërore Ramë Lahaj së shpejti do të zhvillojë të parin koncert të plotë të tij në Shqipëri. “Ramë Lahaj & Friends” do të performojnë më 8 qershor, në Shkodër. “Tenori Ramë Lahaj, i cili është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës, ka zgjedhur jo rastësisht Shkodrën për koncertin e tij, si një qytet që e dashuron kulturën dhe muzikën në të gjitha format e saj”, thuhet në njoftimin online të Bashkisë Shkodër. Lahaj konsiderohet si një ndër artistët e parë kosovarë të operës, i cili ka interpretuar në teatrot më të mirënjohur të botës, duke ndarë skenën me legjenda të operës si Placido Domingo, i cili më vonë e nderoi atë me çmimin e Konkursit Botëror të Operës “Operalia”. Ndonëse karriera e tij zhvillohet jashtë kufijve shqiptarë, artisti nga Kosova nuk harron rrënjët e tij, duke interpretuar edhe për publikun shqiptar. Bashkia Shkodër bëri me dije se në ditët në vazhdim do të japë më tepër informacion për koncertin e tenorit Ramë Lahaj, të cilin Shkodra do të ketë fatin ta shijojë me 8 qershor me të gjithë repertorin e tij.