Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara në Guinenë e Re Papua vlerësoi sot numrin e të vdekurve nga rrëshqitja e tokës që varrosi një fshat të tërë në këtë vend të Paqësorit Jugor, në 670. “Vlerësohet se më shumë se 150 shtëpi u shkatërruan dhe 670 njerëz vdiqën”, tha Serhan Aktoprak, një zyrtar i emigracionit i OKB-së me qendër në Port Moresby, kryeqyteti i vendit. Fatkeqësia natyrore ndodhi gjatë natës nga e enjtja në të premte rreth orës 03:00, në provincën e Engas, në qendër të vendit, duke lënë në befasi banorët e një fshati që ishin varrosur nën pirgje balte dhe rrënoja, ndërsa flinin. “Situata është e tmerrshme, toka vazhdon të rrëshqasë dhe kjo krijon një rrezik të madh për të gjithë”, tha Aktoprak duke shtuar se më shumë se 1 000 persona u detyruan të largoheshin nga katastrofa. Fshati në fjalë ka rreth 4 000 banorë dhe për shkak të vendndodhjes së tij, ishte një pikë grumbullimi për shumë kërkues të arit në rajon. Ndërsa ndoshta do të duhen ditë apo edhe javë për të arritur në një vlerësim përfundimtar, pesë trupa janë gjetur tashmë.