Bashkia e Kuçovës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi, pas vdekjes”, ish-kryeministrin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe ish deputetin e kësaj bashkie Bashkim Fino.
Përfaqësuesve nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Kuçovës ju bashkuan kolegë të shumtë socialistë si dhe qytetarë të Kuçovës për të nderuar ish-kryeministrin në Kinemanë e qytetit të Kuçovës.
Të pranishëm ishin Kryetari i PS i Qarkut të Beratit, Bledi Çuçi, Kryetarët e Bashkive të qarkut të Beratit dhe ish-kolegë të Bashkim Finos, Namik Dokle, Musa Ulqini, Arben Malaj, Arta Dade, Spartak Braho, e shumë politikanë të tjerë të majtë.
Për kontributin e tij të madh në shërbim të vendit, Kreu i Bashkisë Kuçovë i dorëzoi vajzës së Finos, titullin e “Qytetar Nderi”.
Vajza e Bashkim Finos, Megi Fino mes falënderimeve dhe mirënjohjes për titullin e akorduar babait te saj theksoi se megjithëse Bashkim Fino ishte rritur në kalldrëmet e Gjirokastrës, Kuçovën e mbante gjithmonë në zemër si shtëpinë e tij te dyte, si vendin ku punoi me pasion dhe përgjegjësi për tre mandate dhe si vendi që i dha mandatin e deputetit për herë të parë për të vazhduar më pas si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për 6 legjislatura.
Kabineti i drejtuar prej tij gjatë periudhës 9 Mars 1997-29 qershor 1997 mori emrin Qeveria e Pajtimit Kombëtar.
Kjo qeveri u krijua falë vullnetit politik të partive kryesore të vendit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Në datat 6 dhe 9 Mars 1997, në kulmin e trazirave në vend, forcat politike nënshkruan marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re, me pjesëmarrje të gjerë politike. Kryetar i saj u zgjodh socialisti Bashkim Fino.
Ish-kryeministri dhe një nga deputetët më të spikatur në radhët e Partisë Socialiste, Fino ndërroi jetë në moshën 58 vjeçare, më 29 Mars 2021.