Qeveria e ardhshme e Britanisë së Madhe duhet të marrë në konsideratë një ndalim ligjor të telefonave celularë në shkolla dhe një ndalim total të telefonave për fëmijët nën 16 vjeç, thuhet në një raport nga ligjvënësit britanikë.
Komiteti i Arsimit në Dhomën e Komuneve, Dhoma e Ulët e parlamentit të Britanisë së Madhe tha se nevojiten udhëzime më të ashpra për telefonat celularë në shkolla dhe se si të menaxhohet koha para ekranit të fëmijëve në shtëpi për të mbrojtur shëndetin e të rinjve.
Sipas komitetit koha e ekranit ishte e dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve dhe si shkollat ashtu edhe prindërit kishin nevojë për udhëzime të qarta nga qeveria për këtë çështje.
Në fillim të këtij viti, Departamenti i Arsimit i Britanisë së Madhe nxorri udhëzime që udhëzonin drejtuesit se si të ndalonin përdorimin e telefonave jo vetëm gjatë mësimit, por edhe gjatë periudhave të pushimit dhe drekës, duke sugjeruar që stafi mund të kontrollonte nxënësit dhe çantat e tyre për telefona celularë nëse ishte e nevojshme.
Raporti thoshte se qeveria e ardhshme duhet të konsultohet për rritjen e moshës së përdorimit të pajisjeve dixhitale nga 13 në 16 vjeç, dhe të marrë në konsideratë një ndalim total të telefonave inteligjentë për moshat nën 16 vjeç; si dhe një ndalim të plotë ligjor të telefonave celularë në shkolla, duke treguar një rritje të kohës së fëmijëve para ekranit dhe përdorimit të telefonit që një mënyrë varësie.
Gjithshtu u raportua se kishte pasur një rritje prej 52% në kohën e qëndrimit para ekranit të fëmijëve midis viteve 2020 dhe 2022, me një të katërtën që thuhet se janë bërë të varur nga përdorimi i pajisjeve të tyre.
Kryetari i komisionit Robin Walker tha se përdorimi i tepërt i ekranit dhe smartphone ka një ndikim të qartë negativ në mirëqenien mendore dhe fizike të fëmijëve dhe të të rinjve