Laboratori i restaurimit të librave në qendrën e librit “Sotir Kolea”, ka restauruar rreth 600 libra të viteve 1800-1940, pjesë e arkivit të Bibliotekës Kombëtare. Pajisjet e mundësuara falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, ruajnë fondin e çmuar të librave dhe vlerave të rralla që ato mbartin.
Qendra “Sotir Kolea” ka marrë vitin e fundit disa pajisje të specializuara sa i përket laboratorit të restaurimit, që i vijnë në ndihmë proceseve të restaurimit të librit.
Antonio Çikollari, përgjegjës i sektorit të mirëmbajtjes së librit pranë qendrës “Sotir Kolea”, thotë se, dikur punët kryheshin në mënyrë mekanike. Punonjëset i bënin me dorë ose me mjete pothuaj primitive. Ndërsa me pajisjet e reja, puna lehtësohet shumë, bëhet shumë më e lehtë për punonjëset e bibliotekës por ndikon edhe në sasinë e restaurimit dhe përpunimit të librave. Sipas Çikollarit mund të pastrohen deri në 40-50 libra për 15 minuta.
“Përzgjedhja e librave bëhet edhe në varësi të përmbajtjeve. Për shembull, kemi libra të Erasmusit të Roterdamit të cilët janë gjetur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe që normalisht libri dëmtohet për efekt kohe, edhe kur nuk është ekspozuar kurrë. Kështu që lind nevoja që këtyre veprave të rralla që kemi, t’u kushtohet një vëmendje e veçantë, në mënyrë që këto vlera të fshehura t’u japim dritë e t’i shpalosim për publikun”, u shpreh Çikollari.
Pajisjet në qendrën “Sotir Kolea”, aneks i të Bibliotekës Kombëtare, u dorëzuan pothuaj një vit më parë nga programi i granteve EU4Culture. Këto pajisje, me vlerë 668,922 euro, përfshijnë servera, skanera të librave dhe të barkodeve, laptopë, tableta, pastrues të specializuar, dezinfektues dhe dhoma tharje, makina pastrimi për heqjen e aciditetit të letrës së librave, etj., të cilat tashmë kanë rritur ndjeshëm shërbimet e bibliotekës.