Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për 40-vjetorin e Revoltës së Qafë Barit, si një nga momentet e rezistencës së heronjve anti-diktaturë, në kampet e burgjet më famëkeqe, ISKK organizoi vizitën pelegrinazh në ngrehinën kamp-burg të Qafë Barit.
Organizimi i kësaj vizite pati 3 qëllime kryesore: të ndihmojë në përcjelljen e kujtesës; të kontribuojë në të kuptuarit e thelbit të diktaturës komuniste; të mediatizojë sa më gjerë jehonën përkujtimore të kësaj ngjarjeje.
Zv. drejtoresha ekzekutive e ISKK, Armanda Hysa dhe përgjegjësi i Sektorit të Edukimit, Ergys Mërtiri, shoqëruan të ftuarit në këtë aktivitet, ku morën pjesë ish-të përndjekur politikë, përfaqësuar nga Shoqata e Ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë me në krye Et’hem Fejzullarin, si dhe studentë të Universitetit të Tiranës.
Në fjalën e saj Hysa theksoi rëndësinë që ka Revolta e Qafë Barit, si reminishencë dhe celebrim i asaj të Spaçit, për historinë e rezistencës antikomuniste. Ajo u përkujtoi, sidomos studentëve të pranishëm, se rruga e gjatë dhe e vështirë që këtë ditë u përshkrua përmes makinave komode, në diktaturë është bërë nga të afërmit e ish-të burgosurve politikë në këmbë, në mëshirë të motit dhe të mjeteve të rralla.
Et’hem Fejzullari tregoi përvojën e tij personale si i internuar që foshnjë dhe foli mbi keqtrajtimin dhe kushtet e vështira jo vetëm në kampet burgje, por edhe në kampet e internimit.
Më pas Bedri Blloshmi, ish-i dënuar politik, që një pjesë të dënimit e ka kaluar në Qafë Bari, u tregoi pjesëmarrësve në aktivitet qelitë, dhomat e izolimit duke u folur për disa nga torturat dhe format më famëkeqe të keqtrajtimit të makinerisë shtypëse të diktaturës komuniste shqiptare ndaj të burgosurve politikë.