Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e parë të këtij viti u ul me 11.1 %, duke arritur vlerën 2478 GWh, nga 2787 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2023. Sipas raportit të publikuar sot nga Instituti i Statistikave, ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 46.9 %, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 50.3 % dhe nga të tjerë prodhues (fotovoltaik) në masën 2.8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike. Ndërkohë, importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e parë të vitit 2024, arriti vlerën 535 GWh nga 246 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 2.2 herë. Të dhënat tregojnë se eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 814 GWh nga 904 GWh, duke shënuar një rënie me 10,0 %.