Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEARSIMMbrojtja e të dhënave personale, edukim për nxënësit në shkollat e mesme

Mbrojtja e të dhënave personale, edukim për nxënësit në shkollat e mesme

 Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi hetime administrative në institucione të arsimit të mesëm, si një nga sektorët, që në kuptim të legjislacionit të fushës së mbrojtjes së të dhënave personale, kryen procese përpunuese të konsiderueshme.

Kjo veprimtari u shtri në të gjithë vendin, në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Elbasanit, Lushnjës, Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Kukësit, ku u përfshinë 16 shkolla të mesme të përgjithshme publike dhe 4 private.

Në përfundim të këtij procesi, Zyra e Komisionerit doli me rekomandimin unifikues mbi respektimin e detyrimeve ligjore në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale për kontrolluesit e arsimit të mesëm të lartë.

Në këtë akt janë evidentuar një sërë problematikash për t’u adresuar nga institucionet arsimore përgjegjëse në lidhje me ligjshmërinë e përpunimit, sigurinë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave personale, veçanërisht gjatë përdorimit të rrjeteve sociale dhe platformave teknologjike. Një kujdes i posaçëm, duhet t’i kushtohet të dhënave personale të fëmijëve/nxënësve nën 18 vjeç (të mitur), për të shmangur pasojat e rënda që mund të vijnë për shkak të publikimit online të të dhënave të tyre.

Paralelisht me këtë angazhim, Zyra e Komisionerit ndërmori iniciativën e hartimit të modulit trajnues “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë gjatë lundrimit në internet”. Ky dokument do t’u shërbejë mësuesve dhe nxënësve lidhur me mënyrën e përdorimit të rrjeteve sociale, kujdesin që duhet treguar për mbrojtjen e privatësisë, rëndësinë e sigurisë online dhe mbrojtjen e të dhënave personale nga rreziqet që ndeshin në internet.

Moduli trajnues ka marrë në konsideratë praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim, si një kontribut dhe propozim konkret i Zyrës së Komisionerit për integrimin e tij në kurrikulën arsimore, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet respektive të këtij sistemi.

Për prezantimin e gjetjeve të rekomandimit unifikues dhe të modulit trajnues, Zyra e Komisionerit në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), zhvilluan aktivitetin përmbyllës të kësaj iniciative. Me një pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve, mësuesve, psikologëve, prindërve dhe nxënësve, në këtë takim u theksua rëndësia e ndërveprimit mes të gjithë aktorëve dhe faktorëve në funksion të misionit të përbashkët, edukimit sa më cilësor të brezit të ri.

Zyra e Komisionerit vlerëson se zhvillimi i të tilla iniciativave ndikon në promovimin një shoqërie që mban si vlera thelbësore garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut me standardet më bashkëkohore dhe ushtrimin e tyre me integritet në praktikë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments