Zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve Kinë-Rusi nuk është vetëm në interesat themelore të dy vendeve dhe popujve, por gjithashtu promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe botës në përgjithësi, deklaroi presidenti Xi Jinping në takimin me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
”Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të mbetur një fqinj i mirë, një mik i mirë dhe një partner i mirë duke i besuar njëri-tjetrit dhe duke vazhduar konsolidimin e miqësisë mes dy popujve në zhvillimin e tyre kombëtar, rigjallërimin dhe mbështetjen për barazinë dhe drejtësinë në botë”, shtoi Xi.
Putin mbërriti në sheshin ”Tienanmen” të Pekinit këtë mëngjes, në kuadër të vizitës së tij shtetërore dyditore në Kinë.
Lideri i Kremlinit u mirëprit nga Xi me të cilin shkëmbeu një shtrëngim duarsh, sipas pamjeve të transmetuara drejtpërdrejt nga rrjeti shtetëror CCTV.
Presidenti rus Vladimir Putin nga ana e tij e cilësoi se ”çdo aleancë e mbyllur politike dhe ushtarake dëmton rajonin e Azi-Paqësorit”.
“Nuk ka vend për aleanca të mbyllura ushtarako-politike. Ne besojmë se është shumë e dëmshme dhe kundërproduktive të krijohen aleanca të tilla”, tha ai gjatë një konference shtypi me homologun e tij kinez, Xi.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se ”i ishte mirënjohës Kinës për iniciativat e saj të paqes në lidhje me konfliktin në Ukrainë”.
”Ne u jemi mirënjohës miqve dhe kolegëve tanë kinezë për iniciativat që po paraqesin për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Putin.
Pekini, i cili kurrë nuk e ka dënuar Rusinë, bën thirrje për respektimin e integritetit territorial të të gjitha vendeve, përfshirë Ukrainën, ndërsa kërkon që të merren parasysh shqetësimet e aleatit të tij rus.