Në kuadër të Javës së Kulturës Franceze, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përuroi sallën “Pierre Cabanes”. Në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri dhe Ministrinë franceze të Kulturës, kjo sallë përmban të gjitha koleksionet e bibliotekës vetjake të historianit të Antikitetit dhe epigrafistit Pierre Cabanes (1930-2023). Këtë ceremoni e përshëndetën me vlerësimet e tyre drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, si dhe historianët dhe arkeologët Neritan Ceka, Belisa Muka, Saimir Shpuza, nga Instituti i Arkeologjisë, të cilët e kanë njohur personalisht dhe kanë bashkëpunuar me albanologun e ndjerë. Pierre Raynaud, këshilltar kulturor në Ambasadën franceze, nëpërmjet një letre përcolli një falënderim të veçantë nga familja e të ndjerit Pierre Cabanes, në pamundësi për të qenë të pranishëm në këtë përurim. Gjithashtu, këtë ceremoni e nderoi me prezencën e tij edhe René Troccaz, i dërguari special i presidentit francez për Ballkanin, si dhe shumë figura dhe personalitete shqiptare të kulturës, historisë dhe arkeologjisë. Kjo bibliotekë, tanimë pjesë e koleksioneve të BKSH-së, u la që në gjallje të të ndjerit Cabanes si amanet që t’i dhurohej shqiptarëve, me qëllimin që ajo të jetë në dispozicion të studentëve e studiuesve që janë të interesuar për historinë dhe arkeologjinë e Antikitetit, duke vijuar kështu traditën e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës.