Banka e Shqipërisë ka në fokus mbrojtjen e kartëmonedhës dhe monedhës metalike nga falsifikimi. BSH-ja bën të ditur se, gjatë vitit 2023, ka sekuestruar 195 kartëmonedha kombëtare të falsifikuara në qarkullim, si dhe 71 monedha metalike. Referuar statistikave, koeficienti i kartëmonedhave të falsifikuara për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim është ulur në vitin 2023, kur ky tregues ka arritur nivelin e 1.3 copë kartëmonedha për 1 milion në qarkullim, kundrejt 2.2 në vitin 2022. Sipas BSH-së, kartëmonedhat më të falsifikuara janë ato të prerjeve 1000 Lekë dhe 5000 Lekë, të ndjekura nga prerjet 2000 Lekë dhe 500 Lekë. Sa i përket monedhave, ajo e prerjes 50 Lekë vijon të jetë e vetmja e falsifikuar, megjithëse në sasi të ulët dhe të papërfillshme. Numri më i madh i kartëmonedhave false i takon serisë së vjetër, me 153 copë. Ky fakt dëshmon cilësinë e lartë dhe elementet e sigurisë të aplikuara në kartëmonedhat e serisë së re. Nga këndvështrimi teknik, kartëmonedhat e falsifikuara janë riprodhime të thjeshta me pajisje digjitale komerciale, pothuajse vetëm me teknikën ink-jet me ngjyra, të shoqëruara me aplikim të teknikave artizanale dhe teknologjike për imitimin e elementeve të sigurisë. BSH-ja siguron se, në asnjë rast nuk ndeshen imitime të elementeve të sigurisë të lexueshme prej pajisjeve autentifikuese. Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes dhe të qarkullimit të monedhës kombëtare “Lek”. Ajo përcakton format, peshat, masat, modelin dhe karakteristikat e tjera të kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare, me kurs ligjor brenda vendit.
BSH sekuestroi 266 monedha dhe kartëmonedha kombëtare të falsifikuara në 2023
RELATED ARTICLES