Palestinezët përkujtojnë sot humbjen e atdheut të tyre, thënë ndryshe Dita e Nakba-s (Dita e Katastrofës), që shënon ikjen e më shumë se 700 000 palestinezëve gjatë luftës së vitit 1948 që çoi në krijimin e shtetit të Izraelit. Dita përkujtimore e Nakba-s mbahet më 15 maj të çdo viti. Shteti i Izraelit u shpall më 14 maj 1948. Dita shënohet me marshime dhe demonstrata. Këtë vit, ngjarja qendrore është planifikuar në Ramallah në Bregun Perëndimor, ku sirenat pritet të bien për 76 sekonda për të shënuar 76 vjet nga Nakba. Duke pasur parasysh situatën në Rripin e Gazës, vëzhguesit parashikojnë përleshje me forcat izraelite në Bregun Perëndimor. OKB vlerëson se numri i refugjatëve palestinezë dhe pasardhësve të tyre aktualisht është rreth gjashtë milionë. Krijimi i një shtëpie të përhershme për refugjatët, së bashku me statusin e Jerusalemit, shihen si ndër problemet më komplekse në konfliktin izraelito-palestinez. Sipas Zyrës Statistikore Palestineze, ka rreth 14 milionë palestinezë në mbarë botën, ku gjysma e tyre jetojnë në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor, Rripin e Gazës dhe Izrael. Rreth 20% e popullsisë 10 milionëshe të Izraelit janë arabë.