Vexhi Buharaja, atdhetar, dijetar, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, studiues, hulumtues, njohës i dhjetë gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore. Vexhi Buharaja lindi më 12 maj të viti 1920 në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Ai rridhte prej një familjeje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore e atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë. Në fushën e përkthimit njihet ndër të tjera për shqipërimin nga gjuha perse të veprave të Naim Frashërit. Në shtypin shqiptar, emri i tij do të lakohej më së shumti me publikimet e tij në revistën “Kultura Islame”, kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944 u kthye në Berat. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, punoi për pak kohë në Shtëpinë e Kulturës në Berat. Arrestohet në vitin 1946 me akuzën e propagandës kundër qeverisë komuniste dhe dënohet me 8 vjet burg. Pjesën më të madhe të dënimit e vuan në kampin e Maliqit, Tërbufit, Çermës. Pas lirimit, ushtron detyrën si mësues i gjuhës ruse në shkollën e mesme. Falë njohjes së gjuhëve orientale si osmanishtja dhe persishtja, ai pranohet në Sektorin e Historisë së Mesjetës në Institutin e Historisë në Tiranë, ku kontribuoi në përkthimin në shqip të dokumenteve nga gjuha osmane të Insitutit të Historisë dhe të Arkivit Qendror të Shtetit. Është meritë e Vexhi Buharasë përkthimi dhe transkriptimi në shqip i rreth 300 mbishkrimeve turko-osmano-arabe. Bazuar mbi mbishkrimet e përkthyera, ai shkroi studimin “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, duke dhënë një ndihmesë të madhe në historiografinë shqiptare, si dhe në hedhjen dritë të shumë monumenteve të periudhës osmane që mbanin këto mbishkrime. Gjithashtu, ka përkthyer nje numër të madh dokumentesh historike, siç janë memorandumet e Lidhjes së Prizrenit, manifestin “Ujanallem” të Dervish Himës, letërkëmbimin e Dervish Himës me dr. Ibrahim Temon(64 letra). Përveç dokumenteve historike, përktheu nga turqishtja dhe persishtja veprën shkencore të Hoxha Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (Ëndërrimet) dhe “Katër stinët” të Naim Frashërit, “Gjylistani dhe Bostanu” të Saadi Shirazi. Ndonëse me një kontribut të vyer, në vitin 1975 u dëbua nga Instituti i Historisë dhe u kthye në Berat si arkëtar në një lokal shërbimi. Pas rënies së komunizmit, Vexhi Buharaja është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Beratit” dhe “Mësues i Popullit”. Biblioteka dhe medreseja e qytetit të Beratit mbajnë sot emrin e tij. Vdiq më 5 korrik të vitit 1987.