Tv Klan – Fundjavë pranverore me diell dhe shi

0
23

Tipike pranverore do jetë kjo fundjavë në territorin shqiptar, me të gjitha karakteristikat, diell, vranësira dhe momente me pika shiu. Sipas Meteoalb, më i rrezikuar nga rebeshet e izoluara këtë të shtunë janë jugu dhe juglindja e vendit. “Pak më i favorizuar është Adriatiku, ku do ketë kthjellime, vranësira dhe momente me pika shiu. Ka një përmirësim të dukshëm dita e dielë, ku moti është i kthjellët pothuajse në të gjithë ultësirën perëndimore dhe vijën bregdetare”, thotë sinoptikania Lajda Porja. Përgjatë fundjavës moti do të jetë kështu relativisht i freskët, me temperatura që nuk shkojnë më shumë se 26 gradë. “Një atmosferë tipike pranvere, nuk është se kemi atë diellin përvëlues, por vranësirat janë prezente. Ky Maj na ngjason me majin e viteve ‘90, ku nuk kalojmë menjëherë me mëngë të shkurtra. Maksimumet luhaten 25-26 gradë”. Edhe në fillimin e javës së ardhshme do te kemi prezente vranësirat. Kushtet e motit përmirësohen ndjeshëm nisur nga 15 Maji. “Prezenca e reshjeve do jetë më e pakët dhe do kemi më shumë ditë me diell”. Deri në fund të muajit, temperaturat pritet të ngjiten deri në 30 gradë Celsius.