Manovrat bërthamore ruse janë “padyshim tronditëse” dhe një “vazhdim i sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë”, tha sot një zëdhënës i Komisionit Evropian. Në një konferencë shtypi në Bruksel, Peter Stano, zëdhënës i shefit të marrëdhënieve të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se masa është “një tjetër provë se Kremlini është i interesuar vetëm në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës që u shkaktua nga agresioni i tij i paligjshëm kundër Ukrainës”. “I bëjmë thirrje Rusisë të ndalojë përshkallëzimin, të ndalojë retorikën e papërgjegjshme”, tha Stano. Ai shtoi se Rusia duhet të pushojë agresionin e saj kundër Ukrainës dhe “shkeljet e lidhura me ligjet ndërkombëtare dhe të detyrimeve ndërkombëtare që Rusia mori mbi vete”. ”Rusia do të kryejë një manovër të forcave të saj taktike bërthamore me urdhër të presidentit Vladimir Putin”, njoftoi sot Ministria ruse e Mbrojtjes. ”Kjo manovër i përgjigjet pretendimeve perëndimore për dërgimin e trupave në Ukrainë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. ”Deklaratat e Macron për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë shënojnë një seri tensionesh të paprecedenta”, shtoi ai. Në njoftim nuk thuhej nëse raketat do të pajisen me koka bërthamore. Rusia ka kryer më parë trajnime të forcave bërthamore pa koka bërthamore. ”Si pjesë e stërvitjes, do të kryhen një sërë aktivitetesh për të praktikuar përgatitjen dhe përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike”, tha Ministria e Mbrojtjes. Fillimisht ishte e paqartë se kur dhe ku do të fillonte saktësisht stërvitja, në të cilën është përfshirë rajoni i mbrojtjes jugore dhe forcat detare. Në tetor, ushtria ruse lëshoi dy raketa ndërkontinentale dhe disa raketa balistike për qëllime trajnimi dhe parandalimi. Ajo e justifikoi manovrën, të cilën e kishte shpallur, duke pretenduar “deklarata provokuese dhe kërcënime nga zyrtarë perëndimorë individualë kundër Federatës Ruse”. Që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë kundër Ukrainës më shumë se dy vjet më parë, përfaqësuesit rusë janë përpjekur vazhdimisht të testojnë mbështetjen ndërkombëtare për Kievin duke nxitur frikën e një lufte bërthamore.
BE: Manovra bërthamore ruse veprim i papërgjegjshëm
RELATED ARTICLES