Presidenti kinez Xi Jinping pritet të nisë vizitën e tij zyrtare në Evropë , për një udhëtim që do ta çojë drejt Francës, Hungarisë dhe Serbisë. Kryeministri francez Gabriel Attal do të prisë Xi në Paris sot pasdite. Më pas janë planifikuar bisedimet për të hënën me presidentin francez Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Sipas raporteve nga Elysee, bisedimet do të fokusohen në luftën në Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme, bashkëpunimin ekonomik dhe mbrojtjen e klimës. Macron tha para vizitës se ”duhet bërë gjithçka që është e mundur për të përfshirë Kinën në çështjet kryesore globale”. Pas qëndrimit në Francë, 70-vjeçari Xi do të vazhdojë për në Serbi dhe Hungari. Serbia ka marrëdhënie të ngushta me Kinën dhe Pekini po investon miliarda në rrugët e transportit dhe portet në mbarë botën.