Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, (MEKI) në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim në Zhvillim (AICS), do të mbajnë një dëgjesë publike për Planin e Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit. Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja njoftoi në rrjetet sociale se, qëllimi i takimit është prezantimi dhe diskutimi së bashku me palët e interesit, i temave të trajtuara në Planin e Menaxhimit të të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit, për mbrojtjen, ruajtjen dhe vlerësimin e vlerave historike dhe arkeologjike të parkut dhe kujtesës kulturore të këtij qyteti antik. “Bashkë për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore”, shkroi Gonxhja. Diskutimet synojnë të rrisin dhe të ruajnë atraktivitetin e qytetit antik të Bylisit dhe Klosit, si një hap i mëtejshëm i promovimit dhe ruajtjes së pasurive të trashëgimisë kulturore. Plani i menaxhimit të këtij poli të rëndësishëm historiko-kulturor, synon përmirësimin e aksesueshmërisë, me qëllim promovimin e rëndësisë kulturore të sitit dhe nxitjen e turizmit kulturor dhe inkurajimin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës. Gonxhaj njoftoi se, dëgjesa do të mbahet më datë 7 Maj 2024, ora 09:30, në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Dëgjesë publike për menaxhimin e Parkut të Bylisit
RELATED ARTICLES