Në tremujorin e parë 2024, indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore në Kosovë ka pësuar rritje për 2,8 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi, thuhet se indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 7,3 për qind. Ndërsa, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 5,3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. “Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë”, thuhet në raportin e ASK-së.