Qytetit të Beratit i është shtuar edhe një muze i ri: Shtëpia-muze “Qako”. Lajmi bëhet me dije nga kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo. Vetë shtëpia e familjes Qako, e ndërtuar në shekullin XVIII është muze. Pozicionimi në lagjen karakteristike të Goricës, tavanet me gdhendje druri, arkitektura mbresëlënëse e bëjnë të tillë. Afresket që mban brenda shtëpia janë vlera e shtuar e saj. Vizitorët vendas dhe të huaj e kanë të hapur derën çdo ditë, me mikpritjen karakteristike beratase dhe likonë e famshme për qerasje. “Se Shtëpia Muze “Qako” e konsideron mik këdo që kalon pragun e portës shekullore”, shkruan Demo në rrjetet sociale.