Qeveria e Kosovës ka dalë me detaje rreth takimit të radhës në kuadër të procesit të dialogut në nivel kryenegociatorësh sot në Bruksel.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas takimit tha se kanë diskutuar rreth ideve që ka prezantuar emisari i BE-së Miroslav Lajçak dy javë më herët, por pavarësisht kësaj nuk ka pasur përafrim të qëndrimeve, pasi Serbia asociacionin e sheh si mekanizëm për legjitimimin e strukturave ilegale serbe. “Sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, tha Bislimi. Ai bëri të ditur se pala serbe në takim ka kërkuar garanci për licencimin e institucioneve ilegale, siç është “Postanska Banka” në Kosovë.
“Duke parë se qëndrimet nuk po mund të afrohen, pas disa orëve bisedime, Lajçak duke respektuar linjat e kuqe të palëve, ka dalë me propozim të ri, e i cili pak a shumë do të duhej të ishte propozimi i fundit që del nga Lajçak dhe në të cilin ne duhet të japim komentet tona gjatë ditëve në vijim. Propozimi i Lajçak është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve, shkon në drejtimin e duhur, por kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme”, ka shtuar Bislimi. Bislimi ka theksuar se një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si financimi i shkollave dhe ambulancave që operojnë në veri e në komunat tjera. “Por sot pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por pa dashur të tregojë se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë, dhe ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e Lajçak e as tonin”, theksoi Bislimi.
Sipas tij, propozimi i Lajçak është konstruktiv dhe më i detajuar sesa propozimi i javës së kaluar dhe sqaron më mirë disa prej pikave dhe vërejtjeve të cilat pala kosovare ka pasur më herët.
“Mendoj që është një përpjekje e mirë e Lajçak që të gjejë një zgjidhje. Edhe Lajçak njësoj si pala kosovare, shqetësimin kryesor e ka se si individët të cilët janë prekur nga vendimi i BQK-së apo rregullorja e BQK-së, të mund të vazhdojnë të marrin mbështetjen financiare përderisa Serbia edhe sot gjithë shqetësimin e saj e ka pasur se si duhet të licencohen institucione paralele të Serbisë në Kosovë”, tha Bislimi.