Tatimet: Deklarimi për DIVA 2023 nuk ka asnjë ndryshim

0
5

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur sot se nuk ka ndryshime në plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave. Sipas DPT-së, efektet e ligjit të ri për “Tatimin mbi të Ardhurat” për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA do të ndihen gjatë vitit 2025, kur individët do të deklarojnë DIVA për vitin 2024, jo DIVA-n 2023. Ligji i ri për “Tatimin mbi të ardhurat” ka ulur pragun e detyrimit për deklarim për të punësuarit në Shqipëri. Deri më tani këtë detyrim e kishin individët me të ardhura vjetore bruto mbi 2 milionë lekë në vit. Neni 67 i ligjit, përcakton se: Një individ është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat tatimore vjetore të tij/saj janë: më shumë se 1.2 milionë lekë në vit nga të gjitha burimet; kur është në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr nga punëdhënësit; më shumë se 50 mijë lekë e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.