Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) ka miratuar sot vendimin përfundimtar për ndryshimin e kornizës së negociatave për anëtarësim me Serbinë, duke i vënë kusht normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj, Kosovën.
Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tashmë bëhet kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave për anëtarësim në bllok.
Në tekstin e ri të kornizës së negociatave, si kusht vendoset fjalia e mëposhtme: “Serbia zbaton plotësisht detyrimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas aneksit të zbatimit të saj, rënë dakord më 18 mars 2023”.
Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Themelore, ndërsa më 18 mars në Ohër u arrit marrëveshja për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
“Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), i cili gjithashtu kishte propozuar këto ndryshime, ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e tyre”, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.
“Të dyja palët kishin pranuar detyrimet e tyre – që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve të bëhej pjesë integrale e rrugëtimit të tyre integrues evropian. Zbatimi i aneksit të arritur në mars 2023 pasqyron këtë detyrim të të dyja palëve”, tha Stano.
Stano konfirmoi se një detyrim i tillë do të bëhet formal edhe për Kosovën përmes një “grupi special për normalizim”.
“Do të përditësohet edhe axhenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizimin e Kosovës. Presim që të dyja palët të zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet e tjera që mbeten nga dialogu, sepse ky është kyç për rrugëtimin e tyre evropian”, shtoi ai.
Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së arritën marrëveshje për këto ndryshime javën e kaluar.
Ky ndryshim është kërkuar që të përfshijë detyrimin për zbatimin e marrëveshjes nga dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si kusht në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim që nga arritja e marrëveshjes një vit më parë.
Progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën ishte pjesë e kushteve në negociatat e Beogradit për anëtarësim në BE, por tani posaçërisht përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar.