E hëna ka nisur me kthjellime por ditët në vijim pritet një situatë e paqëndrueshme atmosferike me reshje shiu. Meteorologia Lajda Porja thotë se reshjet e shiut do të jenë prezente kryesisht në zonat jugore dhe juglindore. Parashikohet që të enjten dhe të premten, reshjet të jenë më të pakta. Temperaturat do të pësojnë ulje. Problematike do të jetë edhe parametri i erës, ku sipas meteorologes, në brigjet e Jonit, shpejtësia do të arrijë në mbi 50 km/orë. Edhe rajoni do të mbizotërohet nga moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu dhe me temperatura 17-18 gradë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. “Do të kemi ndryshim të situatës atmosferike pas mesnatës, ku do të kemi zhvillim të vranësirave, duke bërë që e marta dhe mërkurë të jetë me rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të Ultësirës Perëndimore. Reshjet do të jenë të fokusuara kryesisht në zonat jugore dhe juglindore. Do t’i kemi kryesisht reshje shiu për shkak se do të kemi rritje të temperaturave në orët e para të mëngjesit, duke i bërë mëngjeset të ngrohta dhe duke na shoqëruar një mot i ngrohtë dhe i lagësht. Parashikohet që edhe e enjtja dhe e premtja të jenë me vranësira dhe reshje, por do të jenë disi më të pakta. E marta dhe e mërkura do të sjellë rënie të temperaturave, duke bërë që të zbresin në 19 apo 20 gradë ndërsa të enjten dhe të premten do të luhaten në 20 apo 21 gradë, temperatura tipike të prillit. Parametri i erës do të jetë problematike në orët e vona të mbrëmjes, kryesisht në brigjet e detit Jon, ku shpejtësia e saj do të jetë mbi 50 km/orë.”, u shpreh meteorologia./abcnews.al